“Enciklopedia shqiptare”, Akademitë e Shkencave në Shqipëri dhe Kosovë: Procesi vijon me harmonizimin e fjalëve
Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve në Kosovë kanë mbajtur sot takimin e radhës lidhur me harmonizimin e të gjitha fushave të redaksive vendore për krijimin e “Enciklopedisë së parë Shqiptare”. Në këtë enciklopedi do të përmblidhet e gjithë kultura dhe trashëgimia e popullit shqiptar ndër shekuj.
Bashkëpunimi mes dy akademive shkencore asaj në Tiranë dhe në Prishtinë është fokusuar sot pikërisht në harmonizimin e tërësisë së fjalëve shqip dhe pas këtij procesi do të vijohet me miratimin përfundimtar të tyre nga Redaksia qendrore e dy akademive te shkencave në fund të dhjetorit të këtij viti.
Kryetari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Skënder Gjinushi vlerësoi kontributin e dhënë nga të gjithë aktorët për krijimin e kësaj enciklopedie.
“Falënderojmë kontributin e gjithë redaksive vendore dhe drejtuesve të tyre dhe kolegëve tanë që kanë pranuar dhe kanë marrë përsipër të japin kontributin e tyre ne hartimin e të parës Enciklopedi Shqiptare”, tha Gjinushi
Edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Kosovë, Mehmet Kraja tha se procesi i harmonizimit të fjalëve për enciklopedinë shqiptare ka nisur dhe mbetet ende një punë e madhe për t’u bërë.
Teksa vuti theksin se procesi ka disa problematika, Kraja tha se takimi i radhës së dy akademive do të zhvillohet në vjeshtë në Prishtinë.
“Kemi pasur takime të ndërsjellta për të bërë një lloj rezymeje se çfarë kemi bërë gjatë kësaj periudhe dhe objektivave që i kemi vënë vetes dhe kemi konsoliduar një fillim të mbarë. Redaksitë e fushave kanë pasur takime të ndërsjellat dhe kemi arritur të harmonizojmë disa nga zërat që duhen të përfshihen dhe mbetet dhe shumë punë që të përmbyllim këtë fazë të projektit. Është hartimi fjalëve, kjo është paraparë të ndodh deri në fund të këtij vitit dhe na duhet të përshpejtojmë hapat që të harmonizojmë fjalësit e 29 fushave të dy Akademive të Shkencave. Të gjejmë zgjidhjet më të mira për përcaktimin përfundimtar të fjalësit dhe zërave. Ka nevojë për një studim të thelluar të çështjeve që duhen të zgjidhen për të përfunduar këtë pjesë të punës me redaksinë qendrore që do e shqyrtoj në dhjetor të 2024 dhe t’i jap vulën përfundimtare. Deri sa të mbërrijmë te redaksia qendrore ka goxha punë. Ky është takim i parë i dy redaksive për fjalësin dhe një takim tjetër do e mbajmë në Prishtinë gjatë vjeshtës”, tha Kraja.