Energjia elektrike temë e Këshillit Bashkiak /Këshilltarët lezhajnë e konsiderojnë të papranueshme situatën e krijuar
Drejtuesi i OSHEE- së për Lezhën, ishte thirrur nga Këshilli Bashkiak për të dhënë shpjegime lidhur me problematikat e furnizimit me energji elektrike në këtë zonë. Ndërprerjet e energjisë elektrike në pjesën më të madhe të territorit të Bashkisë Lezhë, u konsideruan të papranueshme nga këshilltarë të majtë e të djathtë. Madje, ata kanë hedhur dyshime edhe mbi cilësinë e investimeve në rrjetin elektrik gjatë viteve të fundit.
Gjatë raportimit para Këshillit Bashkiak, koordinatori i ri i Njesisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë, Gentian Fiçorri informoi këshilltarët se janë evidentuar të gjitha problematikat, të cilat sipas tij, do të marrin zgjidhje që energjia elektrike të mos mungojë.
Shkaku kryesor i ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike në zonën e Lezhës, konsiderohet rrjeti i amortizuar në pjesën më të madhe të territorit. Për vitin 2024 janë parashikuar një sërë investimesh, kryesisht në zonat bregdetare, ku konsumi i energjisë elektrike është më i lartë, sidomos gjatë sezonit turistik.