Energjia, nis investimi në qytetet turistike
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka nisur zbatimin e planit të investimeve në zonat turistike të Shqipërisë, me qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë sezonit veror.
Aktualisht, ka nisur remonti i thelluar në rrjetin elektrik të tensionit të mesëm, në disa zona turistike në bregdet dhe mal, teksa punimet e fundit për mirëmbajtjen e linjave do të prekin zonat Radhimë, Orikum, Llogara, Dukat dhe Tragjas në rajonin e Vlorës, që gjatë sezonit të verës kanë fluks të shtuar të konsumit të energjisë elektrike prej numrit të lartë të turistëve.
Ky është viti i parë pas pandemisë dhe krizës energjetike, që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e OSHEE Group ka miratuar një plan të mirëfilltë investimesh.
Më herët nga përfaqësues të këtij dikasteri është bërë me dije se prioritet janë zonat urbane dhe sidomos ato qytete, që kanë fluks të shtuar të turistëve gjatë verës, siç është Pogradeci, Durrësi, Vlora apo edhe Ksamili.
Investimi në rrjetin elektrik, jo vetëm rrit sigurnë e furnizimit me energji, por në të njëjtën kohë ndikon në reduktimin e humbjeve teknike, që vijnë si pasojë e amortizimit. Të dhënat e fundit të disponueshme tregojnë se aktulisht niveli i humbjeve është në masën 18.58%, teksa OSHEE synon uljen në 17.93%, deri në fund të këtij viti.