Enkelejd Alibeaj dorëzon në Kuvend kërkesën për të dalë nga grupi parlamentar i PD-së
Enkelejd Alibeaj ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për të dalë nga grupi parlamentar i PD.
Alibeaj e paralajmëroi disa ditë më parë largimin nga grupi parlamentar i PD-së, lëvizje e cila erdhi pas vendimit të Apelit për vulën.
Alibeaj u shpreh se vendimi i Apelit shënjonte status quo-n e partisë, ndërsa theksonte se nuk besonte te premtimi i Berishës se PD-ja e tij do të ketë demokraci të brendshme dhe respekt për mendimin ndryshe.
“Vendimi i Gjykatës së Apelit disa ditë më parë pra, shenjoi dhe status quo-n e kësaj partie. Parti që zyrtarisht i përket Sali Berishës dhe mënyrës së tij të drejtimit dhe të bërit politikë. Personalisht jam ndarë me këtë mënyrë shumë vite më parë dhe në çdo kohë jam përpjekur të dëshmoj se i përkas një soji tjetër politik. Nuk besoj tek premtimi i Sali Berishës se PD-ja e tij do të ketë demokraci të brendshme dhe respekt për mendimin ndryshe. Mbi të gjitha nuk gjykoj që ajo mund të jetë oferta politike që meritojnë shqiptarët. Si formë dhe mënyrë e të bërit politikë është model i dalë jashtë funksionit të betejës me Ramën. Dy modele të ngjashme, e simbiotike, nuk mund të përballen duke sjellë rezultate ndryshe nga ai që kemi”, deklaroi Alibeaj.