Epidemia e gripit godet rëndë Spanjën, maska me detyrim për qytetarët, tre ditë pushim për pacientët me simptoma të lehta
Gripi, koronavirusi dhe virusi sinsical i rrugëve të frymëmarrjes kanë goditur rëndë Spanjën. Rastet e gripit u rritën me 75% në ditët e fundit të vitit 2023 dhe shtrimet në spital kanë arritur në 60% në javën e parë të këtij viti.
Epidemiologët këmbëngulin se spanjollët kanë lënë pas dore vaksinimin, si një masë thelbësore përballë këtyre valëve të infeksioneve. Nisur nga kjo situatë, Ministria e Shëndetësia e këtij vendi njoftoi se nga e mërkura e kësaj jave vendosja e maskave bëhet e detyrueshme në qendrat shëndetësore në të gjithë Spanjën.
Po studiohet edhe masa që një pacient të shkarkojë online raportin mjekësor që i mundëson të qëndrojë për 3 ditë në shtëpi. Sipas kësaj ministrie, punonjësi i sëmurë duhet të dorëzojë një deklaratë nën përgjegjësi pa qenë nevoja të shkojë personalisht në qendrën shëndetësore, por duhet të njoftojë kompaninë ku punon.
Kjo masë është kërkuar më herët nga punonjësit e Kujdesit Parësor me synim për të thjeshtuar procedurat burokratike, për të shmangur kolapset në qendrat shëndetësore, por edhe burimet e infektimit. Masa mbështetet nga Shoqata Spanjolle e Mjekëve të Kujdesit Parësor, por edhe Ministria e Shëndetësisë.
Në Mbretërinë e Bashkuar punonjësi mund të justifikojë pushimin e tij deri në 7 ditë pas nisjes së simptomave të sëmundjes. Në Suedi nuk është e nevojshme të shkohet te mjeku për sëmundje që nuk kërkojnë vëmendje profesionale, ndërsa mund të merren deri në 5 ditë pushim mjekësor. Në Gjermani nuk duhet të dorëzohet leje deri në ditën e katërt të mungesës.
E fundit që iu bashkua kësaj masa ishte Portugalia, e cila zbatoi pushimin mjekësor 3-ditor nga mesi i vitit të kaluar. Vala e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes pritet të fillojë të bjerë në gjysmën e dytë të janarit.