Erdoan kërcënon Izraelin: Turqia mund të ndërhyjë për të mbështetur palestinezët
Presidenti Rexhep Tajip Erdoan tha se Turqia mund të hyjë në Izrael siç kishte bërë në të kaluarën në Libi dhe Nagorno-Karabakh, megjithëse ai nuk shpjegoi se çfarë lloj ndërhyrjeje po paralajmëronte. Erdoani, i cili ka qenë një kritik i ashpër i operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza, foli për luftën gjatë një fjalimi me para anëtarëve të partisë së tij, ku vlerësoi industrinë e mbrojtjes të vendit të tij.
“Ne duhet të jemi shumë të fortë në mënyrë që Izraeli të mos mund bëjë veprime të pamenduara mbi Palestinën. Ashtu si hymë në Karabak dhe Libi, ne mund të bëjmë të njëjtën gjë edhe ndaj atij vendi. Nuk ka asnjë arsye pse ne nuk mund ta bëjmë këtë. Ne duhet të jemi të fuqishëm që të mund të ndërmarrim hapa të tillë,” tha Erdoan.
Izraeli nuk ka bërë asnjë koment lidhur me deklaratën e presidentit turk, e cila dukej se po i referohej veprimeve të Turqisë në të kaluarën. Në vitin 2020, Turqia dërgoi personel ushtarak në Libi në mbështetje të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të atij vendi të njohur nga Kombet e Bashkuara, ndërsa kryeministri libian, i cili kryeson Qeverinë e Unitetit Kombëtar në Tripoli, mbështetet nga Ankaraja.
Ndërkohë Turqia ka mohuar çdo rol të drejtpërdrejtë në operacionet ushtarake të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabak, por vitin e kaluar tha se po përdorte të gjitha mjetet, duke përfshirë trajnimin ushtarak dhe modernizimin për të mbështetur aleatin e saj të ngushtë.
Erdoan është një nga kritikët më të ashpër të Izraelit në skenën ndërkombëtare, lidhur me luftën e atij vendi kundër Hamasit në Gaza, e cila nga 7 tetori i vitit të kaluar ka shkaktuar mbi 39 mijë humbje jete mes palestinezëve.