Erdogan në Tiranë, nga takimi me Begajn e Ramën, te inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë
Tirana mirëpret këtë të enjte Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan (Recep Tayyip Erdoğan). Kreu i shtetit turk do të pritet me një ceremoni në Presidencë nga homologu Bajram Begaj, me të cilin do të ketë gjithashtu edhe një takim kokë më kokë.
Më pas, Presidenti Erdogan do të zhvillojë një takim tetë a tetë edhe me Kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të mbajë edhe një deklaratë të përbashkët për media.
Sipas axhendës, Presidenti turk gjatë kësaj vizite zyrtare në Tiranë, do të marrë pjesë pasditen e sotme në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, e cila ndodhet pranë Parlamentit shqiptar.
Gjatë kësaj vizite janë planifikuar të nënshkruhen marrëveshje të ndryshme për të përmirësuar bazën e përbashkët të marrëdhënieve dypalëshe.
Bisedimet parashikojnë gjithashtu një shkëmbim idesh mbi çështjet aktuale globale dhe rajonale, veçanërisht zhvillimet në Ballkan, si dhe sulmet izraelite në Gazë dhe Liban.
Për shkak të vizitës së Erdogan, seanca plenare e sotme nuk do të zhvillohet por është shtyrë për në datë 17 tetor me të njëjtin rend dite.
Sakaq, në kuadër të kësaj vizite të kreut të shtetit turk në Shqipëri, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash, sipas të cilit një sërë aksesh kryesore do të bllokohen. Më konkretisht, aksi i vjetër Kashar-Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar. Policia këshillon drejtuesit e automjeteve që të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar-Rinas.
Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:
Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir) – Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush”.
Kjo nuk është vizita e parë e Presidentit turk në Shqipëri. Kujtojmë se në maj të vitit 2015, Erdogan ka zhvilluar një vizitë në vendin tonë, ku është nderuar asokohe nga Presidenti Bujar Nishani me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.
Më pas, në muajin janar të 2022-shit Presidenti Erdogan zhvilloi një tjetër vizitë zyrtare në vendin tonë, ku pas takimit me kryeministrin Rama, pa nga afër frytet e ndihmës së shtetit turk për rindërtimin, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, si dhe zhvilloi vizitë në Xhaminë e Et’hem Beut.
Në muajin janar të 2021-shit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u prit në mënyrë madhështore nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në Ankara. Garda turke e shoqëroi kryeministrin shqiptar që nga momenti i zbritjes nga aeroporti e deri te Presidenca. Ishte Erdogani ai që priti Ramën në momentin kur doli nga makina. Të dy liderët e veshur me të zeza dhe me maska përshkruan rrugën e shtruar me tapet blu.