Erik Faje: Do vazhdoj të shkruaj për kulturën shqiptare. francezët s’e njohin mirë

Shkrimtari francez Erik Faje (o. Eric Faye), romancieri i vlerësuar me disa çmime prestigjoze, ka thënë se do të vazhdojë ta promovojë kulturën shqiptare.
Z. Faje ishte një nga të ftuarit e nderit në ditën e dytë të Panairit të Librit “Prishtina 2024”.
“Është kënaqësi për mua çdoherë që vij në Ballkan e ndiej atë ngrohtësi dhe unë do të vazhdoj të shkruaj për kulturën shqiptare. Pastaj është ndoshta pak keq për t’u thënë, por mendoj se francezët nuk e njohin edhe aq mirë kulturën shqiptare,” tha autori francez, siç raporton Koha.
Në edicionin e këtij viti ekspozohen gati 2 mijë tituj të rinj prej rreth 100 botuesve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Vetë z. Faje prezantohet me dy libra: “Parij” dhe “Nagasaki”.

Për veprat e tij, Faje është vlerësuar me çmime prestigjioze, si “Çmimi Deux Magots” dhe “Grand Prix du roman” nga Akademia e Francës.
Në shenjë falënderimi për praninë e tij, autorit iu dhurua edhe një shqiponjë e punuar në dru nga kreu i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, si përkujtim për lidhjen e tij me botën shqiptare dhe me Kosovën në veçanti.
Panairi i Librit në Prishtinë sivjet ka si moto “Përgjigjja është libri” dhe do të qëndrojë i hapur deri të dielën.