Erozioni problem në Anën e Malit/ Situata paraqitet shqetësuese në fshatin Zues
Njësia administrative e Anës së Malit është një ndër zonat më të prekura nga përmbytjet në vitet e fundit por shqetësuese situata paraqitet edhe sa i takon erozionit.
Fenomeni i erozionit është kthyer në një problem serioz në tre fshatra të kësaj njësie Zues, Oblik dhe Obot ku gërryerja e tokave vjen si shkak i rrjedhës së lumit Buna.
Gani Zenuni banor i fshatit Zues tregon se uji ka gërryer dhjetra hektar tokë ndërsa uji ka rrezikuar edhe biznesin e tij. Prej të paktën 5 vitesh rrjedha e lumit Buna ka gërryer disa hektarë tokë bujqësore në disa fshatra të njësisë administrative Ana e Malit. Pavarësisht situatës serioze që paraqitet çdo ditë dhe kërkesave të zonës, ndërhyrjet nga institucionet kanë qenë të pakta për ndaljen e fenomenit të erozionit.