Erzeni-Vllaznia në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë
Sektori i garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka hedhur paraditën e sotme shortin e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Përzierja e goglave ka fiksuar që ekipi i Vllaznisë të përballet në këtë tur me ekipin e Erzenit të Shijakut. Sipas formulës së vendosur nga FSHF, ndryshe nga turet e mëparshme ku skuadrat e kualifikuara u përcaktuan me vetëm një ndeshje teke, që prej këtij turi dhe në vazhdim, gara e Kupës do të vijojë të jetë me nga dy ndeshje, me sistem vajtje dhe ardhje. Kështu, bazuar edhe në shortin përkatës, Vllaznia do ta zhvillojë ndeshjen e parë me Erzenin në transfertë me datë 20 shkurt, ndërkohë që ndeshja e kthimit, e cila do të vendosë se cila skuadër shkon në gjysëmfinale do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës me datë 5 mars 2024. Krahas çiftit Erzeni-Vllaznia, shorti i hedhur sot në mjediset e Shtëpisë së Futbollit ka përcaktuar edhe çiftet e tjerë çerekfinalistë. Ato janë: Kukësi-Partizani, Teuta-Tirana dhe Laçi-Egnatia. Krahas ndeshjeve vajtje dhe ardhje me dy takime, ky tur do të shoqërohet edhe me praninë e sistemit VAR, teknologjia e të cilit do të jetë e pranishme në çdo ndeshje, deri në duelin final të këtij kompeticioni.