Eskobar: I shqetësuar, Ballkani po lëviz me dy shpejtësi për në BE
Ballkani Perëndimor vazhdon të luhatet në vendosmërinë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, jo se shtetet e tij nuk kanë dëshirë, por nuk bëjnë sa duhet për të lidhur marrëdhënie të shëndetshme politike dhe diplomatike.
Sipas emisarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar (o. Escobar), “Ballkani po lëviz me dy shpejtësi”.
“Kemi në njërën anë anëtarët e NATO-s që janë shumë të përkushtuar ndaj orientimit të tyre në NATO dhe atij evropian, dhe pastaj kemi tre të tjerët që po vështirësohen. Prandaj në takimet e mia, unë kam thënë në mënyrë të përsëritur se Shtetet e Bashkuara mbështesin rrugëtimin euroatlantik për të gjithë ata. Dhe do të donim që të zgjidhnin dallimet e brendshme dhe rajonale që po i pengojnë të përparojnë,” u shpreh diplomati amerikan në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Eskobari veçon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si dy vende që janë më të qarta në rrugëtimin e tyre evropian.
“Shqipëria ka qenë e shkëlqyer në përqasjen për vendin që ka në Këshillin e Sigurimit, si dhe në rrugë dypalëshe dhe në kuadrin e NATO-s. Me Malin e Zi, patëm disa takime shumë të mira me presidentin e ri. E siguruam atë se është një partner i mirëpritur dhe i rëndësishëm i komunitetit transatlantik dhe i bëmë thirrje të inkurajojë krijimin e një qeverie ku marrin pjesë vetëm palë të përqëndruara tek Evropa dhe të përkushtuara ndaj NATO-s. Dhe ai tha se do të veprojë kështu. Pra, ne jemi të kënaqur që e mori këtë mesazh të rëndësishëm dhe që ai do të ndërmarrë veprime për këtë,” tha Eskobar.
Problem stabiliteti për rajonin mbetet konflikti mes Kosovës dhe Serbisë, por i dërguari i SHBA-së në rajon shprehet se përqasja e Perëndimit ndaj kësaj çështjeje nuk do të ndryshojë.
“Nëse do të më duhej të thoja diçka, nuk do të jetë për një përqasje të re nga partnerët brenda dialogut. Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm ‘po apo jo’. Dhe e kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borelit ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian,” u shpreh Eskobari.
Ndërsa për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti rreth emisarit të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, se Miroslav Lajçak (o. Lajcak) po mban anën e Serbisë, Eskobari përsëriti besimin që ai ka te ndërmjetësi evropian.
“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme,” u shpreh Eskobar.