Euro 2024: Gjermania, frikë nga “Ujqërit e Vetmuar”
Në Gjermani autoritetet janë në gatishmëri për sulme të mundshme gjatë Kampionatit të ardhshëm Evropian. Në veçanti, ekziston shqetësimi për kërcënimin që vjen nga sulmet e mundshme nga të ashtuquajturit ‘ujqër të vetmuar’, autorë individualë që radikalizohen dhe, sipas ekspertëve, është e vështirë të evidentohen, sepse nuk lënë gjurmë. Javën e kaluar, kanali propagandistik i ISIS-it Sarh al-Khilafah publikoi një kërcënim para ndeshjes mes Bayern dhe Borussia Dortmund.
Rasti nuk u klasifikua si një ‘kërcënim specifik’, por autoritetet e sigurisë u alarmuan, veçanërisht në funksion të Kampionatit Evropian në shtëpi, të planifikuar nga 14 qershori deri më 14 korrik. Sipas Bild, pas këtij kërcënimi ka pasur një shkëmbim informacionesh mes autoriteteve kombëtare dhe shërbimeve sekrete të huaja.
“Qëllimi është të zbulohet nëse një celulë terroriste po shkon në Gjermani”, tha një zyrtar i policisë për gazetën gjermane. Vëmendja u përqendrua mbi të gjitha tek ‘ujqërit e vetmuar’. “Një person i tillë mund të ndihet i frymëzuar për të kryer një sulm terrorist nga një thirrje propagandistike”, vuri në dukje një ekspert. Për të vlerësuar saktë kërcënimet dhe për të marrë masat e nevojshme, raporton Bild, autoritetet gjermane llogarisin edhe në ndihmën e shërbimeve të inteligjencës dhe autoriteteve të huaja të sigurisë, si FBI.