Euro 2024, nesër Shqipëri- Poloni/ Duel vendimtar për fatet e kualifikimit, kërkohet fitorja 3 pikëshe
Kombëtarja shqiptare ka lënë pas ndeshjen e transfertës me Çekinë, ku barazimi dhe pika e marrë ndaj skuadrës kryesuese të grupit ka bërë që kuqezinjtë të vijojnë të qëndrojnë në vendin e dytë të renditjes me një pikë më pak se çekët duke hapur rrugën e një kualifikimi të mundshëm drejt finaleve të Euro 2024. Por, për të ecur me këtë ritëm optimizmi kërkohet patjetër të kalohet me sukses pengesa Poloni, kombëtarja e së cilës është në vendin e tretë të renditjes me një pikë më pak se Shqipëria e vendit të dytë dhe dy ndaj kryesueses së Çekisë. Kështu, menjëherë pas udhëtimit Praga-Tiranë kuqezinjtë kanë zbarkuar në ambientet e Shtëpisë së Futbollit për të zhvilluar seancën e radhës stërvitore. Departamenti i Komunikimit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bën me dije se mesfushori Qazim Laçi nuk do të mund të rikuperohet për ndeshjen e të dielës ndaj polakëve dhe për këtë arsye stafi i ka dhënë leje që të rikthehet në shtëpi. Ndërkohë që edhe mesfushori Keidi Bare nuk është stërvitur rregullisht me skuadrën për shkak të një problemi shëndetësor, por që pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen. Stafi teknik e ka ndarë grupin në dy pjesë, teksa lojtarët që u aktivizuan titullarë bënë më shumë një stërvitje të lehtë dhe pa top, si edhe pak punë në palestër. Ndërsa lojtarët që ishin në stol dhe ata që u aktivizuan për pak minuta bënë një seancë të plotë mes palestrës dhe ushtrimeve me top. Atmosfera në skuadër është shumë pozitive dhe të gjithë janë të karikuar për të marrë një rezultat pozitiv në një nga duelet më vendimtare të grupit tonë. Në prag të ndeshjes zyrtare Shqipëri-Poloni, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024, grupi E, që do të luhet ditën e diel, 10 shtator, duke nisur nga ora 20:45, tekniku brazilian i kombëtares shqiptare, Silvinjo ka në dispozicion edhe një seancë stërvitore që do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës, ku në një farë mënyre merr formë edhe formacioni, anti-Poloni.