Euro 2024, Serbia nuk preferon Shqipërinë në grup
Dy dhjetori po afron dhe protagonistët e shortit në Hamburg kanë nisur të japin deklaratat e para sa i përket preferencave që kanë për rivalët në grup. Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Dragan Dzajiç deklaroi në një intervistë se shpreson të shmangë Shqipërinë.
“Cilido që e përcakton shorti do të jetë kundërshtar i vështirë. Nuk mund të them tani që vetëm të mos e kemi Gjermaninë, Spanjën apo Francën. Janë të vështirë, gjithashtu edhe Rumania, Zot mos lejo që të na bie Shqipëria. Të gjitha mund të na shkaktojnë probleme”, tha numri një i Federatës Serbe të Futbollit.
Për herë të fundit këto dy skuadra janë përballur në kualifikueset e Euro 2016 me ndeshjen e zhvilluar në Beograd që u ndërpre për shkak të trazirave dhe iu akordua fitore në tavolinë Shqipërisë nga CAS i Lozanës.
Serbia e siguroi pjesëmarrjen në Kampionatin Europian pas 24 vitesh mungesë si e dyta në Grupin G. Shorti i Euro 2024 do të hidhet më 2 Dhjetor prej orës 18:00.