Europa Ligë: Roma synon mrekullinë, Gjimshiti titullar ndaj Marsejës
Sonte në mbrëmje do të luhen dy takimet e kthimit të gjysmëfinaleve të Europa League. Atalanta do të presë Marsejën në Bergamo për të tentuar kualifikimin në finalen e këtij kompeticioni. Skuadra italiane niset favorite pas barazimit 1-1 në “Velodrome” një javë më parë.
Ekipi i trajnerit Gasperinit do të shfrytëzojë faktorin fushë për të thyer ekipin francez. Marseja e udhëhequr nga Aubamejang do synojë të befasojë pasi presioni do të jetë tek Atalanta. Bergamaskët treguan kundër Liverpulit se janë një ekip solid ku nuk mungojnë kualitet. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti do të këtë punën e vështirë të ndal Aubamejang.
Emocione dhe spektakël pritet të prodhojë edhe dueli Leverkusen-Roma. Gjermanët janë dukshëm komod pas suksesit në “Olimpico” me shifrat 0-2 kundër verdhekuqve. Të besuarit e Alonsos do të kërkojnë të vijojnë ecurinë pa humbje këtë sezon për të garantuar finalen e Dublinit. Roma ka legjitimitetin të besoj tek mrekullia në “Bayer Arena” edhe pse do të jetë e vështirë.