Europiani U-23 i mundjes në RTSH/ Dominojnë mundësit nga Rusia me pesë medalje të arta

Mundësit rus nën siglën e Federatës Botërore të Mundjes dominojnë Kampionatin Europian të moshës deri në 23-vjeç, që ka nisur të shtunën në Tiranë, në sallën olimpike “Feti Borova”, një event ky që po vjen drejtpërdrejtë në Rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Pesë finale dhe pesë medalje të arta për mundësit nën siglën e Federatës Botërore të Mundjes. Kështu në peshën deri në 57 kilogram, Pavlov ka fituar 6-1 me gjeorgjianin Zangaladze.
Më pas në peshën deri në 65 kilogram, Dzhandubaev mundi 6-4 turkun Toplak. Në peshën deri në 70 kilogram, Eltemirov jo vetëm do ta dominonte kundërshtarin e tij, azerbajxhanasin Heibatov, por do të fitonte me superioritet pikësh 11-0. Më tej akoma, tanimë në peshën deri në 79 kilogram, Balajan mundi 5-1 azerbajxhanasin Jabarov.
Dhe finalja e fundit, kjo e peshës deri në 97 kilogram, ishte një duel mes mundësish të së njëjtës skuadër. Pra nën siglën e Federatës Botërore të Mundjes, ballë për ballë, Samdan – Kazlou, fituar nga ky i fundit 2-1. Ndërkohë tek mundësi shqiptarë Kashiku në peshën 57 kilogram, Preçi në peshën 65 kilogram, Koçleri në peshën 70 kilogram dhe Gançi në peshën 79 kilogram janë eleminuar që në raundet e para. Kampionati Europian i moshës deri në 23 vjeç përfundon më 14 mars.