Europol: Çmontohet banda e kontrabandës së njerëzve në Calais, arrestohen 19 persona
Çmontohet një prej bandave më të mëdha të kontrabandës së njerëzve që vepron në Calais. Europol ka bërë me dije se 19 persona, përfshi edhe kreun e bandës, e pesë nga organizatorët kryesorë, janë arrestuar nga policia gjermane, franceze dhe belge. Hetimi që zgjati përreth një vit, përfshiu 600 policë.
Arrestimet vijnë dy muaj pasi pesë persona humbën jetën pasi u mbytën në Wimereux, një vendpushim afër Calais, duke u përpjekur të kalonin Kanalin pavarësisht temperaturave të ngrira në fillim të janarit.
Hetimet kanë zbuluar detaje se si 30 mijë burra, gra e fëmijë kaluan kanalin vitin e kaluar, pavarësisht rrezikut të vdekjes.
“Aktivitetet hetimore, të nisura në fund të vitit 2022, identifikuan strukturën dhe mënyrat e veprimit të këtij rrjeti të madh kriminal, i përbërë nga shtetas irakianë dhe sirianë me origjinë kurdë. Të dyshuarit “kishin ngritur infrastrukturën e tyre logjistike me degë specifike të ngarkuara për organizimin e dërgesave të sasive të mëdha të pajisjeve detare” nga Kina dhe në BE nëpërmjet Turqisë dhe në Francë”, tha Europol.
Drejtuesit zakonisht transportonin tetë varka në të njëjtën kohë me “një makinë pararendëse” duke vëzhguar rrugën gjatë gjithë udhëtimit për të shmangur zbulimin e policisë.
“Shoferët ishin vendosur në zonat e pushimit në Belgjikë përpara se të dërgonin pajisjen në një vend në momentin e nisjes. Kur përdoren ligjërisht, varka të tilla nuk do të ishin të përshtatshme dhe as të sigurta për transportin e më shumë se 10 individëve. Megjithatë, mesatarisht, kontrabandistët vendosin rreth 50 emigrantë në një nga këto varka. Në total, hetuesit kanë mbledhur prova që lidhin të paktën 55 largime që janë lehtësuar vetëm nga ky rrjet kontrabande. Të dyshuarit grumbulluan midis 1,000 € [856 £] dhe 3,000 € për migrant për një vend”, tha Europol.