Evakuohen 6 aeroporte në Francë pas kërcënimeve me bombë
Gjashtë aeroporte në të gjithë Francën u evakuuan të mërkurën pas kërcënimeve për bombë, raportoi AFP duke iu referuar burimeve policore.
Aeroportet në Lilë, Lion, Nant, Nisë, Tulouz dhe Bove pranë Parisit u evakuuan pas mesazheve kërcënuese të dërguara përmes postës elektronike.
Burime policore thanë për Agjencinë franceze të Lajmeve se autoritetet e sigurisë po verifikojnë nëse kërcënimet mund të jenë reale ose jo.
Që nga e premtja e kaluar Franca ka rritur nivelin e alarmit të terrorit pas sulmit në një shkollë në qytetin verior Aras, ku një ekstremist i dyshuar islamik vrau me thikë një mësues dhe plagosi dy të tjerë. Ndërsa një ditë më parë pallati i Versajës mbylli dyert për vizitorët pas një alarmi të ngjashëm për bombë.
Ndërkohë një sinagogë në Berlin u sulmua me koktejl molotovi mëngjesin e së mërkurës, pas rritjes së incidenteve në kryeqytetin gjerman nga përshkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme.
Ndërsa Evropa mbetet në gatishmëri të lartë pasi dy persona u vranë në Bruksel nga një mbështetës i Shetetit Islamik dhe konflikti midis Izraelit dhe Hamasit.