Falsifikimi i i kartëmonedhave, eksperti: Asnjë problem me serinë e re të lekëve shqiptarë
Seria e re e kartëmonedhave që Banka e Shqipërisë ka hedhur në qarkullim ka rritur ndjeshëm nivelin e sigurisë së tyre, duke ua vështirësuar punën falsifikatorëve.
Aranit Bajri, përgjegjës i Qendrës Kombëtare të Analizës në BSH, tregoi për “Mirëmëngjesi Shqipëri” se falë këtyre ndërhyrjeve dhe aplikimit të teknologjive të sofistikuara, prerjet kryesore ende nuk kanë rënë pre e falsifikimit.
“Është i njohur fakti që Banka e Shqipërisë ka përmirësuar sigurinë e kartëmonedhave me risi për të gjitha prerjet. Janë futur elemente që janë të vështira për t’u falsifikuar. Për prerjet 200-she apo 10.000-she nuk kemi asnjë rast falsifikimi,” u shpreh z. Bajri.
Verifikimi i kartëmonedhave mund të kryhet manualisht dhe me aparatura të posaçme.
“Prek, shiko dhe lëviz” është metoda që sugjeroi z. Bajri për qytetarët e thjeshtë.
“Në një kartëmonedhe ka tre nivele sigurie: niveli i parë i sigurisë për publikun është shiriti prej filigrani, ku tregohet portreti, vlera e kartëmonedhës. Një element tjetër është filli i sigurisë që ndryshon ngjyrën në bazë të këndit të shikimit. Në këndin djathtas është edhe libri me penë, i cili ndryshon ngjyrën gjatë animit. Përveç kësaj, edhe natyra e vetë letrës është e një përbërjeje 100 për qind pambuku, e përforcuar me printime të ngritura që ndihen edhe me dorë nga personat me aftësi të kufizuar shikimi,” tha përgjegjësi i Qendrës së Analizës në BSH.
Sado e sofistikuar të jetë një kartëmonedhë, falsifikatorët do mundohen ta replikojnë, shtoi z. Bajri.
“Ne përpiqemi herë pas here të përfitojmë nga zhvillimet e fundit teknologjike dhe t’i integrojmë ato,” tha ai.
Kartëmonedha më e çmuar shqiptare mban portretin e poetit rilindës Asdreni. Prerja me vlerë 10 mijë lekë vjen në kuadër të serisë së re të kartëmonedhave, paraprirë nga hedhja në qarkullim gjatë 2019 e 200-lekëshit dhe 500-lekëshit të ri.