‘Federata e Opozitës’- Bardhi: Vendosmëri për t’u përballur me regjimin e korruptuar të Ramës
Deputetët e opozitës Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, morën pjesë të premten në tryezën ku u firmos krijimi i ‘Federatës Opozitare’. Gazment Bardhi e cilësoi këtë takim si një moment që tregon vendosmërinë për t’u përballur, sipas tij, “me regjimin e korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës, dhe që i jep më shumë zë popullit opozitar.”
“Sot është një tjetër ditë e mirë për opozitën dhe rrjedhimisht për Shqipërinë! Institucionalizimi i ‘Federatës së Opozitës së Bashkuar’ dhe rikonfirmimi tashmë i koordinuar mbi vendosmërinë për t’u përballur me regjimin e korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës, i jep më shumë zë popullit opozitar. Të gjithë bashkë do të jemi edhe më shumë në protestën kundër keqqeverisjes së Edi Ramës, më 20 Shkurt, ora 17:30 përpara Kryeministrisë”, shkruan Bardhi në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, Edi Rama gjatë qeverisjes së tij e ka shndërruar Shqipërinë në vendin e pamundësive për shqiptarët e ndershëm dhe po detyron rininë të braktisë vendin për shkak të pamundësive ekonomike. Kjo kërkon bashkim të forcave, si pikënisja e një rrugëtimi jo të lehtë për të ndërtuar alternativën që presin shqiptarët prej kohësh.