Fëmijët e diasporës vizitojnë Shkodrën, njihen nga afër me historinë dhe kulturën e vendit të prindërve të tyre
Një grup prej rreth 20 nxënësish , fëmijë të emigrantëve, që mësojnë gjuhën shqipe në Itali kanë vizituar Shkodrën për t’u njohur me historinë dhe kulturën e qytetit .
Nxënësit vizituan fillimisht rrugën muzeale “ Kolë Idromeno “ për të vijuar më pas me vizitën në Muzeun e fotografisë “Marubi”, ku u njohën me historikun e fotografisë dhe themeluesin e studios së parë të fotografisë shqiptare.
Gjatë qëndrimit në Shkodër , nxënësit nga Italia patën mundësinë të shohin nga afër dhe ambientet e RTSH Shkodrës dhe tetarit “Migjeni.
Në prononcimet e tyre ranë në sy emocionet për vizitën e vendit të prindërve të tyre, ndërkohë që shprehën dhe kënaqësinë që u jep mësimi i gjuhës shqipe.
Nga ana e saj , mësuesja e tyre , Elvira Lashi, një prej themelueseve të shkollës shqipe “ Skëndërbeg “ në Parma të Italisë, shprehu kënaqësinë e lidhjes së hershme të vendit tonë me Italinë.
Vizita në Shkodër e nxënësve, fëmijë të emigratëtëve shqiptarë në Itali, ishte pjesë e programit të Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Arsimit për mësimin e gjuhës shqipe të fëmijëve në disaporë.