Fëmijët në situatë rruge / Bashkia Shkodër: Është problem, duhet të ndërveprojnë të gjitha institucionet
Fëmijët në situatë rruge vazhdojnë të mbeten një shqetësim i pazgjidhur ndër vite. Bashkia e Shkodrës përmes titullares së Shërbimit Social, Arlinda Kruja, e pranon se një fenomen i tillë është i pranishëm në rrugët e Shkodrës, por sipas saj për të minimizuar dhe zhdukur përfundimisht këtë fenomen, duhet të ndërveprojnë së bashku edhe organet e tjera përveç bashkisë.
Këtë deklaratë, Drejtorja e Shërbimit Social e bëri gjatë aktivitetit që organizoi Bashkia në sheshin e “Shatërvanit” me fëmijët në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve. 20 nëntori është shënuar në kalendar si “Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve”. Përcaktimi i kësaj dite ka marrë shkas nga Konventa për të drejtat e fëmijëve, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 20 Nëntor 1989.
Gjithashtu, kjo ditë ka për qëllim të jetë ditë aktivitetesh për të promovuar idealet dhe objektivat e Kartës për të Drejtat e Fëmijëve si dhe mirëqënien e fëmijëve të botës.