“FERRAGOSTO” FESTOHET NË SHIROKË/ Festa, mundësi takimi dhe çmalljeje për emgrantët
“Ferragosto” prej vitesh po festohet edhe në Shirokë ,duke i shtuar edhe më shumë vlerën turistike kësaj zone.
Merita i takon ideatorit dhe organizatorit, Gjon Koliqi, një biznesmen artëdashës që ka sjellë traditën festive italiane duke e përshtatur me kulturën artistike të Shkodrës.
Koliqi , duke iu referuar fillesave të kësaj feste dhe arsyet e zhvillimit të saj në Itali u bë promotor i organizimit edhe në vendin tonë. Ai shprehet se kjo festë është mirëpritur nga banorët e Shirokës , si dhe miq e dashamirës nga Shkodra, kryesisht emigrantë, të cilët kanë mundësinë të takohen , të çmallen e të festojnë me njëri-tjetrin.
Vetë pjesëmarrësit shprehen se kënaqësia që i ka dhënë kjo festë ka bërë që të rikthehen çdo vit, të takohen e të heqin mallin me të afërmit dhe miqtë .
Tingujt e muzikës qytetare shkodrane i dhanë një atmosferë të gëzueshme jo vetëm ambientit ku organizohej festa , por edhe pikës turistike të Shirokës të mbushur nga dashamirësit e Liqenit të Shkodrës , të cilët shijonin darkat , apo bënin xhiro me familjarët e tyre.
Ndërkohë, pjesëmarrësit shijuan darkën festive duke kënduar edhe vetë këngët e bukura qytetare shkodrane.