Fest 62- Kraja: Këtë vit i është dhënë shumë rëndësi këngës, Orkestra ka peshën e saj ngjyruese
Pak orë na ndajnë nga nata finale e Festivalit të Këngës ku dhe do të zgjidhet fituesi i edicionit të 62 si edhe përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovizion.
Dirigjenti Gridi Kraja i cili prej shumë vitesh dirigjon Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar në skenën e Festivalit të Këngës tregon për emisionin “Jetë Shqiptare” se si ka qenë ecuria e këngëve ndër vite.
Ai shprehet se muzika vjen çdo vit me frymë të re pasi ndryshimet vijnë edhe me evoluimin e teknologjisë.
“Duhet të kthesh kokën pas për të bërë ndryshimet si bëheshin këngët. Natyrisht që ka ndryshime, çdo gjë ecën me kohën, por nga edhe nga ata që ruajnë disi të njëjtën tradit të melodisë shqiptare. Gjithsesi gjithçka evoluon pasi evoluon dhe teknologjia dhe është e pamundur që edhe muzika mos të jenë në frymë të re. Ky vit ka rryma të reja, që ndonjëherë për publikun vijnë çuditshëm, kryesisht vijnë nga Kosova. Janë ndryshe, janë interesante, por janë pak të vështira për tu kuptuar nga publiku”.
Nga ana e tij ai shprehet se po e shijon shumë këtë event ndërsa vlerëson Orkestrën e RTSH-së. Kraja thekson se këtë vit në Festival i është dhënë shumë rëndësi këngës.
“Kemi rreth 50 profesionistë në skenë, Orkestra ka peshën e saj ngjyruese në këngë. Ne e shijojmë gjithmonë festivalin. Këtë vit i është dhënë shumë rëndësi këngës”, tha Kraja.