Fest 62/ Sonte nata e tretë, ngjiten në skenë ikona të muzikës shqiptare. Zgjidhen edhe finalistët
Festivali i 62-të i Këngës vijon rrugëtimin e tij magjik, teksa sonte të gjithë të bëhemi gati për të kënduar e kërcyer me natën speciale të nostalgjisë.
Kjo natë e tretë e Fest 62 do të ngjisë në skenë emrat më të mirënjohur të muzikës shqiptare si Myferete Laze, Fitnete Tuda, Sidrit Bejleri, Eneda Tarifa, Irma dhe Eranda Libohova, Eugen Bushpepa, Aleksandër Gjoka si dhe ikonën Adelina Ismajli.
Këngët që janë kënduar ndër vite në Festival e që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare do të këndohen në këtë natë të tretë. Po ashtu do të këndohen edhe hite që kanë dalë nga Eurovizioni.
Këtë natë të tretë do të mësohen edhe këngët që do të shkojnë në finalen e madhe më 22 dhjetor.
Ndërkohë, natën e djeshme u hap edhe televotimi ku çdo qytetar mund të votojë për këngën e tij të preferuar.
Edhe këtë vit, juria profesioniste e Festivalit do të përzgjedhë fituesin e Festivalit, ndërsa është publiku që do të përcaktojë me votat e tij përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovizion.