FEST 63, Elhaida Dani në “Sanremo” për shkëmbim eksperience
Eliahada Dani, drejtoresha artistike e Festivalit të 63 Këngës në RTSH, ka nisur përgatitjet për festivalin e fundvitit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtarja njofton se ndodhet në studion e televizionit Italian Rai, ku po merr eksperiencë nga festivali Italian i muzikës së lehtë, “Sanremo”.
“Jam e lumtur që po filloj këtë udhëtim duke marrë mësime nga më të mirët në spektaklin e muzikës si Sanremo, direkt në selinë e Rai, këto mësime do t’i sjellë me vete në vendin tonë për të bërë më të mirën në festivalin tonë të dashur. Ky festival ka një rëndësi të madhe për mua, si edhe për të gjithë shqiptarët, sepse unë jam rritur në atë skenë dhe e di sesa e veçantë është për të gjithë. Të jesh pjesë e këtij eventi madhështor është privilegj dhe përgjegjësi.” shkruan këngëtarja.
Por Elhaida shprehet se në këtë rrugëtim të rëndësishëm nuk do të jetë vetëm.
“Patjetër nuk do jem vetëm, do kem ekipin por do kem ekipin më të mirë në Shqipëri , të cilët do ti bëjmë të ditur në ditët në vazhdim. Do të jemi rigorozë në të gjitha fazat e punë që ky festival të jetë më i miri ndonjëherë”, thekson ajo
Elhaida Dani u emërua disa ditë më parë drejtoresha artistike e Festivalit të 63 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, një bashkëpunim që pritet të zgjasë më shumë se një vit. Eventi më i rëndësishëm i muzikës në Shqipëri, ashtu siç do vit, mbahet në muajin Dhjetor.