Fest 63 – Orkestra dhe bendi muzikor në prova, dirigjenti Kaçinari: Mbizotërojnë muzika Pop dhe Rrok
Ndërsa na ndajnë më pak se një muaj nga ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme e muzikës në Shqipëri, Festivali i fund vitit në Radio Televizionin shqiptar, Fest 63, Orkestra Simfonike dhe bendi muzikor po vijojnë provat për të sjellë një spektakël të vërtetë të muzikës së lehtë shqiptare.
Dirigjenti Alfred Kaçinari në një intervistë për RTSH u shpreh se kjo është një fazë shumë e rëndësishme përgatitore, teksa shumë shpejt Bendit muzikor dhe Orkestrës do ti bashkohen edhe artistët .
“Sot janë bashkuar dy grupet dhe për ne është një fazë pune shumë e këndshme, jemi akoma pa këngëtarët, jemi akoma në ambientit krejtësisht tonin. Sigurisht që ka ngarkesë, orkestra është pjesa më e rëndësishme që heq ngarkesën më të madhe që do të thotë se do të luhen më shumë se 50 tituj”, u shpreh Dirigjenti Alfred Kaçinari.
Artistët pjesëmarrës të Fest 63 duket se do të sjellin për publikun rryma të ndryshme muzikore, por ajo që mbizotëron është muzika pop dhe rrok.
“Do të mbizotëroj më së shumti muzika rock dhe pop”, u shpreh Kaçinari.
30 artistët do të garojnë me njëri tjetrin për të rrëmbyer trofeun e këtij viti i cili do ta çojë atë drejt skenës së madhe të Eurovizion 2025.