Festa e Kurban Bajramit, politika uron besimtarët myslimanë
Besimtarët myslimanë në të gjithë vendin festojnë sot Kurban Bajramin, një nga 2 festat më të rëndësishme në kalendarin mysliman, ndërsa urime kanë ardhur edhe nga politika.
Kreu i shtetit Bajram Begaj, uron besimtarët përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se kjo ditë shërben edhe si reflektim për gjithsecilin, që bën të mundur një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë.
“Përzemërsisht i uroj Kurban Bajramin besimtarëve myslimane shqiptarë! Kurban Bajrami bart mesazhin e sakrificës sublime duke mundur egoizmin, zemërimin dhe lakminë. Kurban Bajrami është akt arsyeje dhe vullneti, me anë të të cilit ne kuptojmë madhështinë e mesazhit hyjnor dhe përpiqemi të përmbushim rolin tonë për të bërë të mira e për t’iu gjendur pranë atyre që nuk kanë mundësi. Vetëm ky reflektim i gjithsecilit bën të mundur një shoqëri më të mirë e më të drejtë. Gëzuar për shumë vjet Kurban Bajramin!”, shkruan Begaj.
Po ashtu edhe kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët përmes një postimi në Facebook, ku shkruan: “gëzuar Kurban Bajramin”.
Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhynte, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.