Festat e nëntorit nën monitorim, Policia e Shtetit me shërbim të përforcuar deri më 30 nëntor
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se do të kalojë në gatishmëri të përforcuar për festat e nëntorit deri në datë 30. Kështu, sipas policisë janë marrë masa të posaçme për garantimin e mbarëvajtjes së aktiviteteve që do të zhvillohet edhe me rastin e festave të nëntorit.
“Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Rendit po bashkëpunojnë me policitë bashkiake, për monitorimin e rrugëve dhe shesheve që do të bllokohen për festime. Ndërkohë, Policia Kriminale ka rritur vigjilencën dhe po bashkëpunon me agjencitë e tjera ligjzbatuese”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia nënvizon se gatishmëria dhe shërbimi i përforcuar do të vijojnë deri më datë 30 nëntor, “me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjitha sheshet dhe ambientet ku do të zhvillohen festime”.
Gjithashtu, theksohet se janë marrë masa për parandalimin e ndotjes akustike që shkaktohet nga përdorimi i pakontrolluar dhe në cenim të parashikimeve të ligjit, i fishekzjarrëve dhe lëndëve të tjera piroteknike, për qëllime festive.
“Njëkohësisht, janë marra masa në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në kufirin e gjelbër, për të parandaluar dhe për të goditur tentativat për krime kufitare. Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e angazhuar maksimlaisht për të garantuar rendin dhe sigurinë. Për çdo rast paligjshmërie ose të nevojës për ndihmë, telefononi në numrin 112 ose kontaktoni me punonjësit e Policisë, të cilët janë në rrugë, sheshe dhe kudo”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.