Festë për miqësinë shqiptaro-amerikane/ Kalendari parashikon aktivitete të shumta që do të nisin nga Shkodra
Miqësia shqiptaro-amerikane do të festohet në disa prej qyteteve kryesore të vendit. E gjitha do të nisë nga Shkodra teksa janë planifikuar tre ditë të mbushura me aktivitete argëtuese për të gjithë grupmoshat. Nga data 15 deri më 17 shtator, pedonalja e qytetit do të shndërrohet në “skenën” ku do të mbahen veprimtari letrare por edhe koncerte të ndryshme muzikore.
Kalendari i ditës së parë parashikon aktivitetin letrar “Pasditja e letërsisë amerikane” për të vijuar më pas me koncertin që do të mbahet në pedonale ku i ftuar do të jetë çifti i artistëve Lind Islami dhe Venera Lumani, të cilët pritet të sjellin atmosferën e bukur për të pranishmit në shesh duke nisur nga ora 21⁰⁰ e mbrëmjes së 15 shtatorit.
Kalendari i ditës së dytë do të nisë me aktivitete dedikuar fëmijëve sërish në pedonalen “Kolë Idromeno” ndërsa mbrëmja e kësaj dite do të mbyllet me Street Party me disa deejay të ndryshëm jo vetëm në pedonale por edhe në rrugën e Gjuhadolit.
Dita e tretë, ajo e datës 17 shtator do të vijojë me aktivitete për fëmijë dhe do të vazhdojë me kinema verore dedikuar kësaj grupmoshe. Festa e miqësisë shqiptaro-amerikane do të rrugëtojë më pas në qytetin e Vlorës nga data 22 deri më 24 shtator, ndalesën e radhës do ta ketë në Korçë në datat 29 shtator deri më 1 tetor për të vijuar me qytetin e Gjirokastrës nga data 6 deri më 8 tetor dhe do të mbyllet me një javë festive në kryeqytet nga data 12 deri më 19 tetor.