Festimet e Karnavaleve/ Bashkia ka zbuluar axhendën treditore të edicionit të sivjetëm të festës
Një program i pasur artistik dhe i larmishëm për çdo grupmoshë pritet të shoqërojë festën e Karnavaleve të këtij viti. Edicioni i 163-të i tyre do të mbahet në datat 23, 24 dhe 25 shkurt. Organizatorja kryesore e festimeve, Bashkia e Shkodrës ka zbardhur axhendën treditore të Karnavaleve.
Në ditën e parë do të jenë fëmijët ata që do të çelin zyrtarisht këtë edicion të sivjetëm të tyre. Gjithçka do të nisë me paradën që do të mbahet në orën 10 të datës 23 shkurt. Ajo do të shoqërohet me performanca artistike nga shkollat dhe xhonglerët që do t’i japin gjallëri festës. Krijimi i maskave, facepainting dhe kllounatat do të jenë disa nga aktivitetet që do të zhvillohen si pjesë e punëtorisë së Karnavaleve në rrugët e qytetit.
Në orën 19 të ditës së parë pritet të ketë një spektakël dritash, për tu mbyllur me grupet shëtitëse të artistëve me veshje e maska veneciane në baret e restorantet e qytetit.
Dita e dytë e festimeve nis me grupmoshën e të rinjve dhe paradën e tyre në rrugët e Shkodrës. Ajo do të pasohet me performancat artistike të shkollave përkatëse. Organizimi i punëtorisë së Karnavaleve do të vijojë edhe përgjatë kësaj dite, e cila do të mbyllet përsëri me grupet shëtitëse të artistëve me veshje e maska veneciane në baret e restorantet e qytetit.
Dita e fundit e festimeve, ajo e datës 25 shkurt do të çelet në orën 10 me paradën tradicionale të Karvanit me një kohëzgjatje prej tre orësh në rrugët e qytetit. Duke nisur nga ora 13 e kësaj dite, performancat artistike të aktorëve të teatrit “Migjeni”, muzikë nga banda e qytetit shoqëruar nga këngëtarët si dhe grupe artistike nga Tuzi dhe Korça pritet të zbukurojnë atmosferën festive për qytetarët në rrugë. Edicioni i 163-të i
Karnavaleve do të mbyllet siç e do tradita me diegien e dordolecit që simbolizon aspektet negative të shoqërisë, moment që pritet të ndodhë rreth orës 17:30 në sheshin “Nënë Tereza”.
Rrugët e Shkodrës kanë nisur të zbukurohen me dekorin e festës tradicionale të qytetit në pritje të zhvillimit të tyre.