Festivali i fëmijëve, nis faza e parë / Afati përfundimtar i pranimit të materialeve të reja është data 15 shkurt
QKF “Kujtim Alija” është një nga “foletë” e promovimit të artistëve të rinj të qytetit. Aktivitetet e vazhdueshme u vijnë në ndihmë edukimit dhe formimit kulturor dhe artistik të fëmijëve pjesëmarrës të qendrës. Viti i kaluar kishte një kalendar të pasur artistik ku nuk munguan as aktivitetet e shndërruara në traditë si: “Fjala Artistike”, “Bilbilat”, “Gara me biçikleta” e disa të tjera.
Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë është fokusi kryesor i saj edhe si ngjarja më e rëndësishme artistike e vitit për grupmoshat e vogla. Ai si zakonisht mbahet përgjatë muajve të verës por përgatitjet e tij nisin herët. Janë disa faza që zhvillohen deri në përzgjedhjen e plotë të këngëve pjesëmarrëse për festivalin. Vajza nga Gjirokastra Nikol Çabeli u shpall fituesja e edicionit të fundit të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë me këngën “Koko im” ku teksti dhe muzika u krijuan nga Eriona Rushiti ndërsa kompozimi nga Enis Mullaj.
Në kuadër të edicionit të ri të festivalit për fëmijë, atij të 62-të, QKF “Kujtim Alija” vazhdon të mbajë të hapur thirrjen për të gjithë kompozitorët e interesuar nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe diaspora për sjelljen e materialeve duke respektuar kriteret përkatëse të pranimit në festival. Sa i përket moshës së këngëtarëve pjesëmarrës ajo mbetet 5 – 14 vjeç. Kjo është faza e parë e konkurimit dhe ajo do të zgjasë deri më 15 shkurt. 11 ditë më vonë, më 26 shkurt do të shpallen edhe emrat e kompozitorëve fitues nga komisioni i vlerësimit të tyre.
Festivali i Këngës për Fëmijë në Shkodër ka nxjerrë ndër vite emra të njohur të skenës si: Ardit Gjebra, Inva Mula etj. duke i dhënë këtij aktiviteti, një vend të rëndësishëm në ecurinë e artit në Shqipëri, në mënyrë të veçantë për artistët e vegjël. Siç është traditë, netët e tij transmetohen për shikuesit në rrjetin e RTSH.