Festivali Ndërkombëtar i Klarinetës çelet nga klarinetisti me famë ndërkombëtare, Genti Dollani
Ka nisur edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetës, në Kosovë.
Nata e parë e festivalit solli një kombinim të mahnitshëm të pasionit dhe virtuozitetit. Klarinetisti i shquar Genti Dollani dhe Ansambli i Klarinetave ndezën skenën me një performancë plot pasion dhe energji.
Genti Dollani është një klarinetist i njohur me një karrierë të pasur dhe të suksesshme ndëkombëtare. Mësimet e para i ka marrë në qytetin e Beratit, më pas në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më tutje karriera e tij njohu sukses në nivel ndërkombëtar. Ai është laureat i shumë çmimeve të larta si dhe themeluesi i disa ansambleve muzikore të njohura, si kuarteti për klarinetë Apasionatti dhe kuinteti frymor Haize, dhe aktualisht jep mësim në shkollën e muzikës Hendaye, në Francë.
Gjithashtu, ai është i angazhuar në orkestrat rajonale dhe simfonike, duke shërbyer si një figurë e rëndësishme në skenën muzikore ndërkombëtare.
Koncerti i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetës në Kosovë, do të mbahet me 11 nëntor në atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, në Prishtinë dhe në skenë do të performojnë Maestro Giovanni Punzi, një figurë e shquar në arenën ndërkombëtare të klarinetës dhe pianistja Lirika Pula.
International Kosova Clarinet Fest mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.