Festivali ndërkombëtar ‘Marie Kraja’ – Edicioni i 20 do të mbahet në datat 28 dhe 29 mars në TKOB
Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja” rikthehet në edicionin e 20. Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të ngjiten 16 zërat e rinj operistik 15 prej të cilëve nga e gjithë bota dhe një konkurrente shqiptare të cilët do të interpretojnë në skenën e festivalit kushtuar muzikës klasike shoqëruar nga orkestra e RTSH.
“Dua të them që anëtarët e jurisë këtë vit janë përfaqësia më e lartë, personalitetet më të lartë të botës operistike në Evropë dhe më gjerë. Natën finale yjet do të ndahen me yjet e muzikës pop, rock, muzikës së lehtë shqiptare dhe ashtu sikurse vitin e kaluar, kasti këtë vit është edhe më brilant.”
Për të katërtin vit radhazi rikthehet si prezantuese edhe sopranoja Enkeleda Kamani e cila disa vite më parë ka triumfuar në këtë festival.
“Mund të them pa frikë që është baras apo edhe duke tejkaluar festivalet më të rëndësishme që janë sot në Evropë dhe kjo na bën shumë krenar dhe një fytyrë artistike për tu nderuar”, tha sopranoja Enkeleda Kamani.
Pjesë e jurisë do të jetë edhe Vikena Kamenica e cila shprehet se 16 zërat e rinj janë impresionues, ndaj dhe detyra e përzgjedhjes nga ana e jurisë bëhet e vështirë.
“Është shumë krenari që një festival shqiptar i kushtuar muzikës lirike i ka mbijetuar të gjithë ulje-ngritjeve dhe gjithë dritë-hijeve që vendi jonë ka kaluar në këto 20 vjet”, tha Vikena Kamenica.
Edicioni i 20-të do të zhvillohet në datat 27, 28 dhe 29 mars.