Festohet Kurban Bajrami, besimtarët falin namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Besimtarët myslimanë në të gjithë vendin kanë falur namazin e Kurban Bajramit. Falja në kryeqytet këtë herë është mbajtur në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Kryetari komunitetit mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu u ka bërë thirrje në fjalën e tij të gjithë besimtarëve që, përmes kësaj feste të afrohen më shumë me krijuesin e tyre.
Në një deklaratë për mediat pas faljes, Spahiu ka uruar të gjithë besimtarët duke përmendur luftën si një ndër sfidat që po kalon njerëzimi.
Më pas, besimtarët janë shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre për kryerjen e ritit të kurbanit, si shenjë e sakrificës kundrejt Zotit.
Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhynte, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.
Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tri pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.