Fillim java nis me trafik në Shkodër, problematika më e madhe në dalje të qytetit
Jo vetëm fundjavat, por hyrje-daljet e qytetit vijojnë të jenë të bllokuara nga trafiku i rënduar edhe në ditët e para të javës. E hëna kishte këtë panoramë në dalje të qytetit.
Ndërrimi i 15 ditëshit duket se ishte shkaku kryesor që radhët kilometrike vijonin që nga lagjia “Xhabije” e deri në dalje të Bahçallëkut.
Krahas numrit të lartë të automjeteve, shkak për këtë rendim të trafikut janë edhe mungesa e rrugëve alternative, kryesisht në hyrje-daljet drejt qytetit, si dhe për shkak të punimeve që kanë mbetur përgjysmë në disa prej akseve kryesore në qytetin e Shkodrës. Duke mos mjaftuar këto elemente, mos respektimi i sinjalistikës rrugore dhe kundravajtjet e shumta sjellin një rëndim të metejshëm të situatës, ndërsa policia rrugore e ka të pamundur për të disiplinuar lëvizjen në të gjitha segmentet problematike. Megjithëse ka patur shtim të patrullave dhe kontrolleve nga ana e policisë rrugore, sërish fenomeni i trafikut në Shkodër është përsëritur dhe mbetet një problem pa zgjidhje gjatë sezonit veror atëherë edhe kur numri i automjeteve disafishohet si pasojë e ardhjes së emigrantëve nga shtetet fqinje për të kaluar pushimet në vendin tonë.