COLiseum, “Yjet e së ardhmes” fiton çmimin “Regjia më e Mirë” dhe “Aktorja protagoniste më e Mirë”
Filmi shqiptar “Yjet e së ardhmes” rrëmbeu dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “COLiseum” (Coliffe), që zhvilloi edicionin e tij të katërt në datat 5–12 dhe 17–20 dhjetor 2024, në Romë.
Konkurrimi u zhvillua në kategoritë e Filmit me Metrazh të Gjatë (italian dhe ndërkombëtar), Filmit të Shkurtër (italian dhe ndërkombëtar), Filmit Dokumentar (italian dhe ndërkombëtar), Filmit të Animuar (italian dhe ndërkombëtar) dhe Videoklipit.
Juria profesioniste e kryesuar nga producenti Roberto Bessi dhe votat e 7.000 shikuesve, prej të cilëve 1.500 të huaj dhe 5.500 italianë, të cilët vlerësuan kontributet filmike nga 81 vende të botë, e seleksionuan “Yjet e së ardhmes” në pesë finalistët e Seksionit të Filmit të Huaj me Metrazh të Gjatë.
Në natën gala të ndarjes së çmimeve, regjisorit të filmit “Yjet e së ardhmes”, Edmond Topit, iu akordua çmimi “Regjia më e Mirë” dhe Tinka Kurti fitoi çmimin “Aktorja protagoniste më e Mirë”.
Regjisori Edmond Topi, duke falënderuar jurinë dhe organizatorët e festivalit, u shpreh: “Kur studioja për aktrim dhe regji filmi, Shqipëria ishte plotësisht e mbyllur! Në qytetin tim, Tiranë… muzika dhe kinemaja italiane zgjonin ëndrrën tonë për liri! Jam shumë i lumtur, që mund ta dërgoj këtë çmim nga Roma magjike në Tiranën time!”
Çmimi “Aktorja protagoniste më e Mirë”, u tërhoq në emër të produksionit nga Mirela Oktrova, e cila, duke falënderuar jurinë, u shpreh: “Tinka Kurti është një nga figurat më të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë shqiptare – një divë e vërtetë me miliona admirues brenda dhe jashtë Shqipërisë. Çmimi është një koncidencë e bukur, pasi Tinka sapo ka festuar 92-vjetorin e lindjes dhe kjo është një dhuratë shumë e bukur për të.”
Festivali Ndërkombëtar i Filmit “COLiseum”, është një Festival që ka lindur me synimin e promovimit të kinemasë së pavarur dhe veprave debutuese nga e gjithë bota si edhe krijimit të një bashkëpunimi sa më të gjerë kulturor dhe social.