Finalja e Eurovizion 2024, këngëtari holandez skualifikohet nga gara
Artisti holandez Joost Klein është skualifikuar nga gara e Eurovision 2024, pas një incidenti në prapaskenë.
Ai është dërguar në shtëpi pasi një denoncimi që u bë në policinë suedeze nga një anëtare femër e grupit të produksionit suedez të Festivalit.
Në një deklaratë, organizatorët e Eurovision thanë se “nuk do të ishte e përshtatshme që ai të vazhdojë në garë” derisa të zhvillohet procesi ligjor.
Klein ishte ndër favoritët për të fituar me këngën e tij, Europapa, që ia kushtoi babait të tij që humbi jetën nga kanceri kur këngëtari ishte në moshën 12-vjeçare.
Lajmi për pezullimin e tij doli të premten pasdite, gjatë provës së parë të veshjes për finalen e madhe të së shtunës. Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), i cili organizon ngjarjen, më vonë publikoi një deklaratë duke thënë se ata “po hetonin një incident që u raportua dhe që përfshinte artistin holandez”.
Të shtunën, policia suedeze konfirmoi se ndaj tij kishte një denoncim për “kërcënime të paligjshme” në Malmo Arena, pas gjysmëfinales së të enjtes.
EBU më pas konfirmoi se Klein nuk do të merrte pjesë në finalen e madhe të së shtunës.
“Ne mbajmë një politikë të tolerancës zero ndaj sjelljeve të papërshtatshme në ngjarjen tonë dhe jemi të përkushtuar të ofrojmë një mjedis pune të sigurt për të gjithë stafin. Në dritën e kësaj, sjellja e Joost Klein ndaj një anëtari të ekipit konsiderohet në shkelje të rregullave të Konkursit”, thanë ata.
Organizatorët theksuan gjithashtu se “ndryshe nga disa raportime në media dhe spekulime të mediave sociale, ky incident nuk përfshiu asnjë interpretues apo anëtar tjetër delegacioni”.
Fillimisht u sugjerua se Klein kishte patur mosmarrëveshjeje me delegacionin e Izraelit.