Fitoi Kampionatin Europian të Shahut, Kler Çaku: Më rrihte zemra aq fort sa mendoj së i dëgjonte dhe kundërshtarja
Vetëm 13 vjeçe, por Kler Çaku ia doli të shpallej kampione në Kampionatin Europian të Shahut. E ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” RTSH, ajo rrëfeu emocionet përgjatë këtij rrugëtimi, deri në shpalljen kampione.
Në ndeshjen e fundit, Kler thotë se zemra i rrihte aq fort nga emocionet sa mund t’ia dëgjonte edhe kundërshtarja.
“Jam shumë e lumtur që kam fituar Kampionatin Europian sepse është rezultati më i mirë që kam marrë deri më sot. Kampionati ishte me 9 ndeshje dhe 2 ndeshjet e para i fitova dhe në të tretën bëra barazim dhe më pas bëra diçka që nuk e prisja, fitova 5 ndeshje rresht. Kisha shumë rrahje zemre sa mendoj që i dëgjonte dhe kundërshtarja”, tregoi ajo.
Strategjia e Kler në lojë është sulmi, ndërsa pas fitores në Kampionatin Europian, ajo synon edhe një medalje në Kampionatin Botëror.
“Përveç studimit, një armë tjetër që unë përdor është edhe ana psikologjike. I bëj presion në lojë kundërshtarit dhe përpiqem të sulmoj më shumë. Në nëntor kam kampionatin botëror dhe aty përpiqem të marr një medalje”, u shpreh 13-vjeçarja.