Fitoi Olimpiadën e Parë për AI, Avdolli: Duhen më shumë investime në praktikë
Blendi Avdolli ka bërë Shqipërinë krenare duke fituar një medalje ari në Olimpiadën e Parë Ndërkombëtare të Inteligjencës Artificiale, e cila u mbajt si pjesë e Samitit Global të Inteligjencës Artificiale.
Në studion e RTSH24, Avdolli solli eksperiencën rreth këtij konkursi ndërsa tha se do e vijojë rrugëtimin me synimin për ta çuar Inteligjencën Artificiale në nivele të paimagjinueshme.
“Unë dua të vazhdoj e të fitoj të tjerë konkurse, të marr sa më shumë medalje, pastaj të vazhdoj shkollën e lartë e më pas të kontribuoj në kërkime për të përmirësuar Inteligjencën Artificiale për ta çuar atë në nivele të paimagjinueshme”, tha Avdolli.
Teksa vitin tjetër Olimpiada Ndërkombëtare e Inteligjencës Artificiale do të mbahet në Kinë, Avdolli miratoi pjesëmarrjen në këtë konkurs.
Mentorja e Blendit, Erida Cerro, teksa vlerësoi interesin e të rinjve në këtë fushë sugjeroi më shumë investime në infrastrukturë me qëllim përmirësimin e praktikës së funksionimit të Inteligjencës Artificiale.
“Shumë të rinj kanë pasion pjesën e teknologjisë dhe janë të gjithë kohën dukë kërkuar dhe na kontaktojnë për të marrë pjesë. Kemi krijuar licencë dhe kemi nisur të punojmë me të rinjtë, duke avancuar pjesën e inteligjencës dhe për të vijuar më tej. Vetë nxënësit kanë interes në fushën e informatikës dhe teknologjisë, por ajo që duhet bërë në vendin tonë janë më shumë investime në infrastrukturë që të kenë mundësi të kenë gjëra më të prekshme nga ana e praktikës, jo vetëm teorinë. Pra një mënyrë më fizike që të kuptojnë më mirë funksionimin e AI-së”, tha Cerro.