Fitore qetësie për Vllazninë / Tre pikëshi në Durrës, largon krizën tek kuqeblutë
Më së fundmi, pas një seri rezultatesh negative vjen fitorja për Vllazninë duke i dhënë në një farë mënyre fund krizës në kampin kuqeblu. Vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit kryesor, Juxhin Xhaja, fikson rezultatin 0 me 1 në favor të Vllaznisë. Tre pikë këto, të “arta” për kuqeblutë dhe njëkohësisht fitorja e parë për shqiptarin nga Tetova, Qatip Osmani që kur ka marrë drejtimin e Vllaznisë. Fitoren kuqebluve, ia dha një shkodran që ka luajtur me sukses edhe për Teutën e Durrësit si Ildi Gruda, i cili nduke shfrytëzuar një top të gjatë nga kolegët e tij kaloi në avantazah Vllazninë që në minutën ne katërt të ndeshjes. Është po ky futbollist, i cili gjatë pjesës së parë, pati mundësinë ta dyfishonte avantazhin, por këtë radhë, topi i goditur prej tij, përfundoi jashtë katërkëndorit të portës vendase. Me avatazhin e Vllaznisë, 0 me 1 mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që e dyta, falë edhe ndërhyrjeve të trajnerit Edi Martini, në fushë është parë një Teutë ndryshe, e cila shtoi jo pak forcën sulmuese duke vënë në vështirësi prapavijën kuqeblu. Gjithësesi, edhe pse durrsakët ishin më këmbëngulës për të gjetur golin e barazimit, lëvizje në pankinë bëri edhe trajneri kuqeblu, Qatip Osmani, duke konsumuar të gjithë ndërrimet që kishte në dispozicion. Madje, ashtu, si dhe në pjesën e parë, edhe në dytën, sidomos me dy raste të pastra të kapitenit Balaj, Vllaznia, mund ta mbyllte në 2 me 0 të gjithë ndeshjen. Me këtë tre pikësh, Vllaznia është shumë e qetë për vazhdimësinë e kampionatit. Sepse, nga një rrezik serioz, që në rast humbje në Durrës, mund të shkonte në fund të tabelës së klasifikimit, tashmë është ngjitur në vendin e pestë të renditjes me 17 pikë, vetëm një pikë larg Skënderbeut që është brenda zonës së katërshes finaliste. Tabelën e klasifikimit e kryeson Egnatia me 30 pikë, e ndjekur nga Partizani me 28 dhe Tirana me 21. Ndërkohë, që me pësimin e humbjes ndaj Vllaznisë, Teuta zhytet akoma më shumë në krizën e skuadrës që mbyll tabelën e klasifikimit me 12 pikë, tre më pak sesa Kukësi i parafundit dhe katër nga Dinamo e vendit të tetë.