Fitore të rëndësishme për Vllazninë U17 dhe U19
Ndryshe nga java e kaluar, ku në transfertën e luajtur në Korçë, u mundën nga ekipet respektive vendase Skënderbeu, këtë javë Vllaznia U17 dhe ajo U19 arritën dy fitore të merituara duke mundur respektivisht ekipet e Apolonisë, U-17 dhe U19, ndeshje këto të zhvilluara në stadiumin “Reshit Rusi”. Fitorja e 17- vjeçarëve të drejtuar nga trajneri Ersi Çaku erdhi pas dy golave të shënuar nga Smakaj dhe Kapllanaj duke fiksuar rezultatin, 2 me 0.
Menjëherë pas 17 -vjeçarëve janë përballur dy ekipet më të rritur, ato të 19 vjeçarëve, në një ndeshje që prodhoi 5 gola, 3 në portën e Apolonisë dhe 2 të Vllaznisë duke regjistruar fitoren kuqeblu, 3-2.
Në fitoren e Vllaznisë U19, spikati sulmuesi Kevin Dodaj, i cili shënoi 3 gola në këtë ndeshje.
Krahas dy fitoreve të merituara, e rëndësishme për drejtuesit e klubit kuqeblu, janë elementët cilësorë që po prodhon Akademia e Futbollit Vllaznia.