Fitorja e parë për Vllazninë U- 21 / Dervishi: Skuadra po rritet, presim fitore të tjera
Duhej të vinte java e gjashtë e Kampionatit Kombëtar të futbollit për Superligën U-21 që Vllaznia të regjistronte fitoren e parë në këtë sezon. Pas katër barazimeve dhe një humbje, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Ergi Borshi, dolën fitues ndaj ekipit të Korabit të Peshkopisë me rezultatin 3 me 1. Për t’u theksuar është se në takimin e luajtur pasditen e djeshme në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës, kanë qënë miqtë të parët që kanë kaluar në avantazh me një gol të shënuar nga Reçi që në të 14-tën minutë. Pësimi i golit shkund kuqeblutë, të cilët në minutat në vijim i shtojnë së tepërmi veprimet sulmuese në kërkim të golit të barazimit. Dhe, këtë e arrijnë në minutën e 38-të me anë të Redon Dragoshit, gol i cili fikson barazimin e pjesës së parë, 1 me 1. Ndërkohë, katër minuta nga starti i pjesës së dytë është Elidon Dulaj i cili tund rrjeten e portjerit dibran Varfi. 2 me 1 për Vllazninë, dhe tashmë loja është nën komandën e kuqebluve, të cilët arrijnë ta administrojnë si duhet avantazhin. Dibranët këmbëngulin fort për të barazpeshuar rezultatin me disa kundrasulme të shpejta, por nga ana tjetër tekniku Borshi nga pankina udhëzon futbollistët e tij të vijohet me lojë sulmuese. Dhe, në sajë të disa rasteve të pastra në portën mike, vjen edhe goli i tretë, goli i qetësisë për Vllazninë me autor Klaudio Kodrën, i cili shënohet në minutën e 90-të. Minutat shtesë, megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave nuk sjellin ndryshim rezultati duke lënë në fuqi shifrat 3 me 1 në favor të Vllaznisë. Pas javës së gjashtë, tabelën e kalsifikimit për Superligën U21 e kryesojnë Bylisi dhe Partizani me nga 16 pikë. Erzeni është i treti me 13 pikë, në vend të katërt dhe të pestë, Tirana dhe Vora me nga 12 pikë, Korabi dhe Apolonia ndajnë vendin e gjashtë dhe të shtatë me nga 9 pikë, Vllaznia është e teta me 7 pikë duke lënë pas Egnatian, Teutën, Kukësin, Elbasanin me nga 6, 4 dhe 0 pikë.