“FjalaFest”, festivali i letërsisë shqipe në Milano
“FjalaFest” titullohet festivali i letërsisë shqipe që do të zhvillohet për herë të parë në Milano, Itali nga 18-19 maj.
Ky festival organizohet nga Albania Letteraria, Slow Mill dhe shoqata “Dora e Pajtimit” dhe financuar nga Qendra e Librit dhe Leximit, IOM dhe Fondacioni Cariplo.
“FjalaFest” do të bëjë bashkë autorë shqiptarë në një diskutim mbi letërsinë, historinë, traditën letrare, përkthimin, artin e shkrimit.
Në festival do të jepet çmimi për përkthimin më të mirë nga shqipja në italisht të realizuar në periudhën 2021-2023.
Kryetar i jurisë i këtij edicioni është një emër i nderuar në botën e letrave, Matteo Mandalà, profesor në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë të Universitetit të Palermos si dhe një nga albanologët bashkëkohorë më të vlerësuar.
Mandalà është gjithashtu anëtar nderi i Akademisë së Shkencave në Shqipëri që nga viti 2016 dhe i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që nga viti 2017, si dhe është autor i disa librave dhe eseve.
Tryezat e rrumbullakëta, diskutimet mes shkrimtarëve, botuesve dhe përkthyesve do të ofrojnë një pasqyrë, sa më të plotë, të kulturës shqiptare .