“Flaka” në Kuvend, SHBA- Britani e Madhe: Parlamenti të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve
Ambasada e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kanë shprehur të martën shqetësim për zhvillimet më të fundit në Kuvend, ku, ‘Rithemelimi’ i Berishës krijoi kaos, deri dhe në vënie zjarri brenda ambienteve ku zhvillohej seanca parlamentare për projektbuxhetin 2024.
Në përgjigje të interesit të Zërit të Amerikës, për një koment mbi këto zhvillime, ambasada amerikane vë në dukje se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar”.
Ambasada amerikane, në reagimin e saj, nënvizon se “mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”.
Britania e Madhe: Shumica dhe opozita të punojnë së bashku
Nga ana tjetër edhe ambasada britanike, nëpërmjet një reagimi, ndau të njejtin shqetësim. Nëpërmjet një deklarate ajo theksoi se “një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive”. Deklarata i bën “thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve”.
“Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive. U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve.’- shkruan ambasada britanike.
Deputetë të Rithemelimit kanë zgjedhur rrugën e bllokimit të seancave të parlamentit, si dhe pengimin e punës së komisioneve parlamentare, si shenjë proteste ndaj asaj që ata pretendojnë se përbën “shkelje të së drejtave të kushtetuese”, lidhur me mohimin e ngritjes së disa komisioneve hetimore të kërkuara nga deputetët e Rithemelimit. Deputetë të Rithemelimit i vunë flakën dhe hodhën flakadanë gjatë zhvillimit të seancës plenare për projektbuxhetin 2024.