Flakadanët në Kuvend/ Rama-demokratëve: Sjelljet e rrugës i futën në politikë, kanë prekur fundin
Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi sjelljen e opozitës në seancën plenare të mbajtur këtë të hënë (20 nëntor). Teksa ka publikuar në rrjetin social X të njohur si Tuitter një foto nga momenti kur deputetët e Rithemelimit ndezin flakadanë, Rama i ka akuzuar këta të fundit se fjalori dhe sjelljet e rrugës i kanë futur në politikë.
Kryeministri shprehet se Rithemelimi ka prekur fundin.
“I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur”, shkroi Rama.