Fluks qytetarësh në Morinë, dita e fundit e kalimit pa kontrolle në kufi me Kosovën
Edhe pse tashmë ka përfunduar sezoni turistik, mëngjesi i kësaj të shtune (30 shtator) nisi me fluks qytetarësh e mjetesh në pikën e përbashkët kufitare të Morinit.
Policitë kufitare të dy shteteve kanë operuar me procedurën e kalimit të kufirit pa kontrolle, procedurë e cila është në fuqi edhe sot.
Sipas të dhënave, nga pika kufitare e Morinit gjatë 24 orëshit të fundit janë përpunuar në hyrje për në vendin tonë rreth 14,500 shtetas dhe 4,280 mjete.
Në krahasim me 2 javë më parë, janë 10 mijë shtetas më pak që kanë hyrë në Shqipëri, që le të kuptohet se tashmë me përfundimin e sezonit turistik reduktohen edhe lëvizjet në pikën kufitare të Morinit.
Shqipëria këtë vit u rëndit e treta sa i takon destinacioneve me rritjen më të madhe të këtij sezoni turistik.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se hyrjet e shtetasve të huaj për 8 muajt e parë të këtij viti arritën në gati 7.2 milionë persona me një rritje prej 26.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vetëm në gusht që ishte kulmi i sezonit turistik në vend kanë hyrë rreth 2 milionë shtetas të huaj ose 18.3% më shumë sesa gushti i një viti më parë.