Fluksi i lartë i fëmijëve në spitale, pediatria: Jo më viroza sezonale, shtrirja e tyre përgjatë gjithë vitit
Mjekët po përballen me një fluks të lartë vizitash në qendra shëndetësore dhe spitale, për shkak të virozëve që të shtuara, të pazakonta për sezonin.
Në një bisedë të zhvilluar me pediatren Sonila Bratin dhe psikologen Ina Durajn në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, lidhur mbi mënyrat se si mund të edukojmë fëmijët për të shmangur përhapjen e virozëve, ato theksuan rolin e shtuar që duhet të kenë prindërit.
Pediatria Brati theksoi se vitet e fundit virozat janë bërë më të shpeshta dhe shpesh paraqesin simptoma të tilla si temperatura të larta, infeksione të rrugëve respiratorë, bronkitet dhe bronkopneumonitë dhe se ato kërkojnë vëmendje mjekësore.
Një problematikë të madhe që pediatrja shtoi është se këtë vit nuk ka pasur viroza sezonale, por janë shtrirë gjatë gjithë vitit me fluks të shtuar.
“Ndryshe nga vite më parë kur virozat kishim në periudha të caktuara në sezon dimri apo vjeshte dhe shumë pak në verë, ky ka qenë një nga vitet kur nuk kemi ndalur nuk është bërë më dallim të fluksit nga janari deri më sot, kur virozat kanë qenë gjatë gjithë vitit. Në sot nuk hasim më vetëm viroza, por kemi shtim të infeksioneve bakteriale, rritje të alergjive deri në kthimin e tyre në astmatik, diabetit, probleme të obezitetit, gjendjet e ankthit, epilepsitë etj.”, tha ajo.
Pediatria theksoi se bashkëpunimi mes mjekëve dhe prindërve është kyç për trajtimin e shpejtë dhe efikas të fëmijëve me simptoma të tilla. Ajo u bëri thirrje prindërve të shmangin dërgimin e fëmijëve në shkolla dhe çerdhe nëse ata shfaqin simptoma të virozave, pasi kjo mund të çojë në përhapjen e infeksioneve.
“Këto ditë po përballemi me një situatë të ngarkuar të virozëve, me temperaturë të lartë, infeksionet e rrugëve respiratorë që do të thotë se janë problematika të bronkitet, bronkopneumonitë dhe ka një rikthim të lisë së dhënëve, ka fëmijë që rikthehen disa herë te mjeku për shkak të vajtjes nëpër çerdhe e shkolla. Realisht ka një fluks mjaft të shtura në këtë periudhë. Temperatura është një nga simptomat e para që ndodh kur një virus hyn në organizmin e njeriut. Është reagim i trupit, por ndonjëherë temperatura sa e thjeshtë ka dhe problematikat e veta. Bashkëpunimi mjekë-prindër ka një ndryshim rrënjësor, vite më parë mundoheshin t’i zgjidhnin vetë në shtëpi, sot vijnë dhe na kontaktojnë në telefon apo në spital që në simptomat e para. Mundësia për të mos përhapur virozën nis nga prindërit, pasi ato gabimin më të madh që bëjnë edhe kur kanë simptomat më të vogla i dërgojnë në çerdhe, kopshte e shkolla, por ne i këshillojmë gjithmonë që t’i mbajnë dy ditë në shtëpi”, tha pediatria.
Në të njëjtën linjë ishte edhe psikologia Ina Duraj, e cila theksoi rëndësinë e edukatës në familje dhe shkolla për të ndihmuar fëmijët të kuptojnë nevojën për kujdesin ndaj shëndetit dhe kërkimin e ndihmës nëse kanë nevojë.
“Edukatën që marrim në familjen, në shoqëri është që secili të jap kontributin e tij, të respektojnë veten, sikundër familjen dhe patjetër edukatorët dhe mësuesit e tyre. Do kërkoja shumë që nga prindërit të ketë një vëmendje të shtuar, patjetër që roli i psikologut në shkolla duhet të jetë i fortë dhe të ndërgjegjësojë fëmijën që në momentin që ka nevojë për ndihmë duhet ta kuptojë që edhe vetë duhet të kërkojë ndihmë”, u shpreh ajo.
Ekspertet u dakordësuan se, përveç virozave, po vërehet një rritje e problemeve të tjera shëndetësore si alergjitë, diabeti, obeziteti, ankthi dhe epilepsitë te fëmijët, për shkak të faktorëve të ndryshëm si stili i jetesës dhe përdorimi i pajisjeve elektronike. Ata theksuan rëndësinë e edukatës dhe mbështetjes për fëmijët në shkolla dhe në familje, si dhe përfshirjen e psikologëve në shërbimin arsimor për të mbështetur zhvillimin emocional dhe psikologjik të fëmijëve.