Flutura Açka largohet nga grupi parlamentar i PD-së

Deputetja Flutura Açka është larguar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike si dhe ka dhënë dorëheqjen nga Drejtimi i Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik.

Me një shkresë drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, deputetja Açka njofton largimin e saj ndërsa shton se prej kohësh ndaj saj ka pas sulme të fshehta nga vetë kolegët në opozitë, për shkak të qasjes së ndryshme të sjelljes politike opozitare.

“Nuk dua të bëj sehir minën ndaj demokracisë, ndaj largohem nga Grupi i PD”, shkruan Açka, e cila thotë se nuk mund të jetë pjesë e alibisë së shkatërrimit të opozitës.

Postimi i plotë

Nga dje ra dhe maska e fundit, tani ju ka mbetur edhe akti i fundit, Komisioni AntiSPAK. Por unë nuk dua të bëj sehir minën ndaj demokracisë, ndaj largohem nga Grupi i PD

​E Nderuara, zonja Nikolla

Sikurse edhe jeni në dijeni, në mbledhjen e parë të këtij sesioni parlamentar (në janar të këtij viti) të Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, të cilin e drejtoj qysh prej vjeshtës së vitit 2021, ndodhi një incident i pakëndshëm me një grup kolegësh të Opozitës, mes tyre edhe drejtues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Nga ajo kohë, sulmet e fshehta dhe të hapura ndaj personit tim nuk lanë reshtur, me të gjitha format dhe mjetet dhe shkakun e vetë: qasjet e ndryshme të sjelljes politike opozitare.

Edhe pse në këto kushte të padrejta, jam përpjekur të përmbush detyrimin tim kushtetues në mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar që drejtoj.

Ndaj, në respekt të çdo demokrati të ndershëm që kam njohur në jetën time dhe në detyrim të idealeve për të cilat u themelua Partia Demokratike në kapërcyell të 90’tës, jam e detyruar të mos e pranoj më gjendjen e pashëndetshme të krijuar nga presionet politike rreth meje.

Në marrëdhënien time politike me Partinë Demokratike, jam udhëhequr vetëm nga parime të larta dhe në shërbim të aksionit opozitar, pa prekur lirinë time vetjake. Ndaj që të mos jem më pjesë e alibisë së shkatërrimit të Opozitës, të cilën e ndanë dhe e shqyen para syve tanë personazhe me etje të pangopur politike;

Që të mos hesht përballë minimit që po i ndodh demokracisë shqiptare nga bashkëpunimi me pushtetin dhe në dëm të interesave demokrate e kombëtare, të një grupi të vogël opozitar me parime qokash dhe moral të dyshimtë politik;

Që të shfaq qartë dhe e pandikuar para demokratëve, votuesve dhe shqiptarëve – të cilët ende besojnë te politika e pastër – aksionin tim personal si opozitare ndaj kundërshtarit tonë të përbashkët politik, pa u ndikuar nga fryma që ka kapluar tashmë prej vitesh Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike;

Që të mos hesht përballë intrigave e makinacioneve të paprincip të personave të caktuar në Opozitë, të cilët, me betejat e tyre të rreme, e kanë diskretituar shpesh aksionin opozitar;

Deklaroj nga sot:

– Dorëheqjen time si Kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik.

– Largimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Me respekt,

​​​​​​DEPUTETE

​​​​​​Flutura Açka

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.