“Fly”, asgjë 12831 rrënjë kanabis/ Të angazhuar 550 efektivë në një tërren tejet të vështirë
Një operacion anti-kanabis në të cilin u angazhuan mbi 500 efektivë ka sjelle asgjesimin e rreth 13 mijë rrënjë kanabis sativa. Policia vendore e Shkodrës ka sqaruar se në këtë operacion, nga ajri u angazhuan 50 efektivë të repartit “RENEA” dhe nga toka, 500 efektivë të DVP Shkodër, të komisariateve në varësi të saj dhe të FNSH-ve Tiranë dhe Fier.
Finalizohet në kushte të vështira terreni dhe në shkallë të lartë rrezikshmërie për jetën e punonjësve të Policisë, megaoperacioni policor i koduar “Fly”.Efektivët e repartit “RENEA” janë transportuar me helikopter, pasi bimët e kultivuara ishin në një terren shumë të thellë malor dhe me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë.
-Gjatë megaoperacionit, nga ajri, morën pjesë efektivët e repartit “RENEA”dhe grupe hetimore. Efektivët e RENEA-s, me anë të helikopterit, mundën të mbërrinin në vende të ndryshme, në territorin e fshatit Palaj, njësia administrative Shosh, ku ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa. Nga këto zona, Policia asgjësoi nëpërmjet djegies, 2220 bimë narkotike cannabis sativa. -Në vijim, gjatë këtij megaoperacioni, nga toka, shërbimet e DVP Shkodër, të komisariateve të Policisë në varësi të saj dhe të FNSH-ve Tiranë dhe Fier, nga terrene të vështira malore në Mnelë, Shllak, Temal, Vilzë, Prekal, Ura e Shtrenjtë, Kir dhe Ana e Malit, asgjësuan 10 611 bimë narkotike cannabis sativa.Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, të asgjësuara gjatë megaperacionit “Fly”, njofton policia.